Një diplomë universiteti mund ta sigurosh edhe nëse nuk i ke parë ndonjëherë auditoret e tij. Mjafton të paguash 7 mijë euro, dhe dokumenti që vërteton studimet universitare është në dorën tënde. Gjithçka ka ndodhur në Universitetin e Tetovës, në Maqedoni. Një grua nga qyteti shqiptar i vendit fqinj ka arritur të falsifikojë rreth 50-60 diploma të tilla për "blerësit" e saj. Disa biznesmenë maqedonas e shqiptarë kanë përfituar, e madje edhe një deputet i legjislaturës së mëparshme të Kuvendit të Shqipërisë ka siguruar diplomën prej saj.
Skandali
SHKUP-Skandali në Universitetin e Tetovës është zbuluar nga policia maqedonase. Sipas saj, një grua nga Tetova me inicialet Gj.S, nga viti 2003 deri në vitin 2008 iu ka shitur shtetasve nga Shqipëria për pesë vjet, diploma false kundrejt një vlere nga 1000 euro deri në 7000 euro. Siç ka bërë të njohur policia maqedonase, gruaja me inicialet Gj.S ka punuar pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, në firmën "Tetova Tabak" dhe kishte arritur jo vetëm të prodhonte diplomat, por të falsifikonte mjeshtërisht firmat e dekanit dhe të rektorit të Universitetit të Tetovës. Burimet policore kanë thënë se ajo kishte arritur deri aty, sa të falsifikonte edhe indeksin duke depërtuar në dokumentet origjinale të Universitetit të Tetovës. Menjëherë hetuesit e policisë së Tetovës kanë kontrolluar "Tetova Tabak", ku punonte falsifikatorja GJ.S, ku kanë gjetur dokumente të shumta si indekse, certifikata diploma false.
Falsifikimet
Pas ekspertizës është vërtetuar se i gjithë dokumentacioni ka qenë i falsifikuar mjeshtërisht dhe është një shifër shumë e madhe biznesmenësh dhe njerëzish të tjerë nga Shqipëria që kanë siguruar një diplomë të falsifikuar me siglën e Universitetit Shtetëror të Tetovës nga falsifikatorja 46-vjeçare Gj.S, e cila iu merrte për një diplomë juridiku, 7000 euro dhe me radhë, një diplomë ekonomiku, 5000 euro dhe ato të mësuesisë ishin më të ulëta, vetëm 1000 euro. Sipas burimeve policore, që ende nuk bëjnë të njohur emrin, edhe në parlamentin e kaluar shqiptar ka qenë një deputet i këtij parlamenti me diplomë false nga ky burim. Policia po heton në lidhje të ndryshme që janë krijuar, pasi ka në dorë indeksin dhe certifikatat e personave nga Shqipëria që janë pajisur me këto diploma të falsifikuara. Hetimet po vazhdojnë ende, ndërsa nuk janë zbuluar emrat e biznesmenëve që kanë marrë diplomat nga kjo grua.